Personat me aftësi të kufizuara trajnohen në teknologji digjitale, fokus në punësim dhe përfshirje.
Një grup personash me aftësi të kufizuara kanë përfituar njohuri dhe aftësi të reja në fushën e teknologjisë digjitale, përmes trajnimit “Përfshirja përmes teknologjisë – zhvillimi i aftësive digjitale”, i organizuar nga Instituti për Inteligjencë Digjitale dhe Media dhe i mbështetur nga Komuna e Prishtinës.
Trajnimi, i cili u mbajt për disa ditë rresht, kishte për qëllim rritjen e kapaciteteve profesionale të pjesëmarrësve në fusha kyçe të ekonomisë digjitale. Gjatë sesioneve praktike dhe teorike, pjesëmarrësit u njohën me menaxhimin e rrjeteve sociale, krijimin e përmbajtjes kreative, si dhe ndërtimin dhe zgjerimin e audiencave përmes platformave online.
Një pjesë e rëndësishme e programit ishte edhe trajnimi në xhirim mobil (MoJo), analizë të të dhënave digjitale dhe strategji të komunikimit në media sociale – aftësi këto që konsiderohen thelbësore për tregun modern të punës.
Organizatorët theksuan se ky projekt synon të krijojë mundësi të barabarta për të gjithë, duke fuqizuar pjesëmarrësit përmes njohurive konkrete dhe praktikës profesionale. “Përfshirja fillon me mundësi të barabarta” ishte mesazhi kryesor që shoqëroi aktivitetin, duke nënvizuar rëndësinë e aksesit të barabartë në edukim dhe zhvillim profesional.
Në përmbyllje të trajnimit, pjesëmarrësit u pajisën me certifikata të pjesëmarrjes, të cilat iu ndanë nga përfaqësuesja e Komunës së Prishtinës, Gentiana Hasani.
Ky projekt vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të personave me aftësi të kufizuara, duke u ofruar atyre mjete konkrete për integrim në tregun e punës dhe ndërtimin e një të ardhmeje të pavarur dhe të qëndrueshme.
Në të njëjtën kohë, organizatorët nënvizuan se roli i institucioneve dhe bizneseve mbetet kyç në krijimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse, ku talenti nuk njeh kufizime dhe secili ka mundësi të barabarta për sukses.
