I mbetur cok në 374 punonjës, UNMIK-u nesër do të paraqesë raportin e radhës mbi gjendjen në Kosovë. Por mbledhjet e rregullta vetëm sa po përsëriten nga viti në vit. Administrata e Trumpit ngulmon që UNMIK-u t’i mbledhë çaklat tekqë e ka përfunduar rolin e vet. Duke qenë në një gojë edhe me qëndrimin britanik, diplomacia amerikane konsideron se UNMIK-u është “mision paqeruajtës pa paqeruajtës” dhe “mision që harxhon buxhet vetëm për pagat e punonjësve të vet”. Duke iu kundërvënë kësaj kërkese, Federata Ruse me përfaqësuesit e saj në OKB ngulmon që edhe më tej të mbetet ky mision për “të respektuar Rezolutën 1244”. Sipas studimeve mbi rolin e misioneve të OKB-së, UNMIK-u citohet rregullisht si shembull për mangësi serioze, kufizime e dobësi gjithfarëshe. Hija më e rëndë mbi besueshmërinë e tij ra kur agjentë të inteligjencës ushtarake ruse (GRU) u zunë si punëtorë të këtij misioni në veri të Kosovës. Duke marrë zemër nga vetë UNMIK-u, Rusia i kishte kërkuar Interpolit arrestimin e tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
8 prill 2026 – Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pasditën e nesërme do të mbajë mbledhjen e radhës për Kosovën në New York.
Duke pasuar mbledhjen e vjetme të mbajtur më 21 tetor, edhe në takimin e nesërm do të shpaloset raporti i rregullt i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres.
Raporti mbi punën e UNMIK-ut do të paraqitet nga kreu i ri i këtij misioni, Peter Nicolaisen Due, që u caktua në këtë detyrë në vjeshtën e vitit të kaluar.
Me një përvojë të gjerë në misionet ndërkombëtare, danezi Due pason libanezen, Caroline Ziadeh, e cila ishte në krye të UNMIK-ut që nga janari i vitit 2022.
Përveç përballjeve të ‘zakonshme’ me qëndrime të përkundërta të ministrave të Punëve të Jashtëm të Kosovës dhe Serbisë, pjesa tjetër e mbledhjes veçse është ‘reprizim’ skripte nga viti në vit.
Diplomacia amerikane: “UMMIK-u të largohet nga Kosova”
Veçmas me ardhjen në fuqi të administratës së re republikane, Amerika e Trumpit është bërë më e zëshme se kurrë që UNMIK-u të largohet njëherë e mirë nga Kosova.
Në mbledhjen e fundit të mbajtur më 21 tetor, përfaqësuesi amerikan në OKB, ambasadori Jeff Bartos kishte pohuar se Kosova nuk ka nevojë për këtë mision.
“Nuk ka krizë sigurie në Kosovë, dhe UNMIK-u tashmë nuk ka rol në qeverisjen e Kosovës. Ka ardhur koha që të tërhiqet misioni”, kishte thënë ai.
Sipas Bartosit, realiteti në Kosovë është i tillë që UNMIK-u është një mision i stërfryrë paqeruajtës pa paqeruajtës, ku 81 për qind e buxhetit i shkon për paga të stafit.
“Është koha të fillojë puna e rëndësishme e bartjes së këtyre funksioneve nga UNMIK-u në agjenci që janë më të përshtatshme për këtë punë, teksa ne fillojmë procesin e mbylljes shkallë-shkallë të misionit”, kishte thënë ambasadori Bartos.
I njëjti qëndrim amerikan ishte zëruar edhe në mbledhjen tjetër të mbajtur më 8 prill të vitit të kaluar nga përfaqësuesi, John Kelley.
Kërkesa të ngjashme kishin ardhur edhe nga diplomacia britanike nëpërmjet përfaqësuesit të Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Sigurimit, Fergus Eckersley.
Rusia, mbështetësja kryesore e UNMIK-ut
Nga 2008 e deri më sot, Rusia ka qenë faktori i vetëm që e ka bërë të mundur qëndrimin e UNMIK-ut në Kosovë, pavarësisht vullnetit të Perëndimit për ta larguar dhe mbyllur këtë mision.
Përfaqësuesit rusë në Këshillin e Sigurimit në vazhdimësi e kanë bllokuar shfuqizimin ose ndryshimin e Rezolutës 1244 – intrasigjenca ruse ishte e tillë sa e pengonin bartjen e kompetencave edhe te EULEX-i.
Sipas qëndrimit zyrtar rus, UNMIK-ut dhe qeveria e Serbisë ishin të vetmet autoritete legjitime për Kosovën sipas Rezolutës në fjalë.
Në shumicën e paraqitjeve të UNMIK-ut pranë Këshillit të Sigurimit, pjesa më e madhe e raporteve është rezervuar gjithmonë për ato që janë përshkruar si ‘cenime’ të të drejtave të serbëve në veri e pjesërisht edhe nga zhvillimet në procesin e bisedimeve.
Një mision që filloi me Rezolutën 1244
Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i njohur përgjithësisht me akronimin UNMIK, ishte mandatuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit për të siguruar jetë paqësore e normale për të gjithë njerëzit në Kosovë.
Ingerencat e tij ekzekutive e administrative ishin bartur vazhdimisht te institucionet vendore, proces ky që u rrumbullakësua më 2008 kur vendi ynë u pavarësua dhe u njoh si i tillë nga shumica e vendeve perëndimore.
Bartja e kompetencave të tij ishte dydrejtimëshe: përveç te Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), edhe te institucionet shtetërore të Kosovës së pavarur.
Lexo edhe: Çka hamami rri UNMIK-u në Kosovë?!
Pakësimi i stafit
Viti 2000 konsiderohet si kulmi i UNMIK-ut kur zyrtarisht brenda vetes numëronte 10,225 personel (nga të cilët 38 ishin oficerë ndërlidhës ushtarakë, 4718 policë civilë, 1339 staf ndërkombëtar, 3927 staf vendor, si dhe 203 vullnetarë të Kombeve të Bashkuara).
Këtë numër e kishte ruajtur gati të njëjtë edhe për vitin pasues (10,147), kurse më 2002 kishte rënë në 9,737; më 2003 kishte 9,070; më 2004 kishte 8,056; më 2005 kishte 6,546; më 2006 4979 punonjës, dhe më 2007 vetëm 4920.
Sipas të dhënave zyrtare të afishuara në faqen e vet zyrtare, UNMIK-u sot ka një numër pakrahasimisht më të vogël të personelit të vet me 374 punonjës, përfshirë 356 vetë si personel civil (112 vetë staf ndërkombëtar; 220 staf vendës; 24 vullnetarë të Kombeve të Bashkuara) dhe 18 persona të uniformuar (8 vëzhgues ushtarakë; 10 oficerë policorë të Kombeve të Bashkuara).
Shkurtimi i këtij misioni për 70 për qind ishte pjesë e planit të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon – procesi i rikofigurimit ishte shpallur më 26 qershor 2008.
ShBA, kritike e përhershme e UNMIK-ut
Aleatja e Kosovës dhe shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara, kishin mirëpritur vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm, duke argumentuar se UNMIK-u duhej t’iu përshtatej realiteteve të reja në Kosovën e pavarur.
Ç’është e vërteta, Shtetet e Bashkuara prej së paku një dekade janë kthyer në kritike të rrepta të të ashtuquajturave misione paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.
Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, ShBA është hisedarja më e madhe e buxhetit të misioneve paqeruajtëse të OKB-së.
“Paqeruajtja nuk duhet të jetë operacion i përhershëm”
Në një analizë shteruese të Brett Schaefer, misionet e OKB-së përgjatë një dekade të tërë janë shquar prej mangësive serioze, kufizimeve dhe dobësive gjithfarëshe.
Ai ka përmendur se, si UNMIK-u në Kosovë, misione ekuivalente të Kombeve të Bashkuara ka në Indi e Pakistan, në Qipro, Siri, Liban dhe Saharanë Perëndimore.
“Në fund, rrethanat që i përshkojnë shumicën e këtyre situatave janë praktikisht identike me ato siç kanë qenë kur janë themeluar këto operacione paqeruajtëse apo janë zgjatur kur ato do të duhej të përfundonin për arsye politike. Ka arsye se qëndrimi është një rezultat pozitiv: fundja, shumica e situatave në fjalë nuk po përkeqësohen”, ka shkruar Schaefer.
“Por pas dy, tre, katër, pesë apo gjashtë dekadave të qëndrimit, është koha të riekzaminohen këto misione për të përcaktuar nëso ato mund t’i zgjidhin situatat e tyre përkatëse. Paqeruajtja nuk duhet të jetë operacion i përhershëm, por një përpjekje e përkohshme e përqëndruar në adresimin e problemeve kritike, fuqizim të kapacitetit të brendshëm (jo zëvendësim të tij), dhe largim sa më praktik për të mundësuar që burimet e kufizuara të kalojnë në kriza më urgjente.”
Rritja e ‘relevancës’ së OKB-së
Përmes aleatëve të saj në Këshillin e Sigurimit, Rusia përpiqej t’ia pamundësonte Sekretarit të Përgjithshëm bartjen e kompetencave të UNMIK-ut te EULEX-i, madje duke kërkuar që i pari të mbante kompetenca ekzekutive e legjislative për një periudhë të pacaktuar kohore.
Sipas Lance Davies, njohës i raporteve ruso-evropiane, Moska vazhdimisht ka kundërshtuar largimin e UNMIK-ut apo pakësimin e kapacitetit të tij, meqë, sipas pozicionit rus, “Kosova mbetet jostabile dhe misioni mbetet mjet kritik për mbikëqyrje ndërkombëtare.”
Duke përfituar nga stagnimi politik në Kosovë, sipas Davies, “Moska i ka instrumentalizuar këto çështje për të promovuar relevancën e vazhdueshme të rolit të Kombeve të Bashkuara…”
Edhe GRU-ja ruse veproi brenda UNMIK-ut
Përfaqësuesit e UNMIK-ut nuk kanë ngurruar në vijimësi që të bëhen avokatë të strukturave paralele serbe në veri të Kosovës.
Edhe kur Kosova ishte bërë e pavarur, stafi policor e ai civil i UNMIK-ut kishte penguar banorët shqiptarë që të rikthehen në veri.
Në raportimet për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, dosja e përfaqësuesve të UNMIK-ut shpesh ka qenë e ngjashme me diskursin e Beogradit.
Përtej kësaj, zyrtarët e UNMIK-ut me raste ishin kthyer edhe në kërcënim të hapur ndaj sigurisë së Republikës së Kosovës.
Ky mision ishte kthyer në shtrojerë të agjentëve e spiunëve rusë.
Kur më 2021 Kosova kishte shpallur ‘non grata’ Andrei Nikolayevich Antonov, mediume si The Geopost e Istraga.ba kishin zbardhur emrat e plot oficerëve të inteligjencës ushtarake ruse (GRU) që vepronin si punonjës të UNMIK-ut.
Sipas njoftimeve të këtyre mediumeve, emrat e tyre ishin: Igor Kulga, Olga Mokrova, Vyacheslav Gannenko dhe Alexander Kasatkin.
Në vend të distancimit nga këta punonjës, kreu i asokohshëm i UNMIK-ut, Zahir Tanin, i kishte akuzuar ashpër institucionet e Republikës së Kosovës.
Këtë dekonspirim nuk e kishte harruar Moska e cila, në shenjë hakmarrje, vite më vonë lëshoi fletarreste ndaj disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Për më tepër, këtë mision e kishin mbuluar edhe hijet për përfshirje në shkelje serioze të të drejtave të njeriut.
Paneli Këshillimor për të Drejtat e Njeriut në OKB (HRAP), në raportin e 2016-s, kishte dritësuar faktin se UNMIK-u ka kryer shkelje të të drejtave të njeriut në 83 raste nga 88 sosh sa qenë shqyrtuar për periudhën 1 janar 2015 – 31 maj 2016.
Përndryshe, HRAP ka pranuar një gjithsejt prej 527 rastesh nga viti 2006 deri më 2010. /Nacionale/
