Tre milionë euro zyrtarët e shtetit i kanë shpenzuar brenda një viti për udhëtime brenda territorit të Kosovës.
A e dini se udhëtimet brenda Kosovës mund të kushtojnë miliona euro?
Ose të paktën kaq ju kushtojnë pushtetarëve në Kosovë.
Sipas raportit vjetor të buxhetit nga Ministria e Financave, 3 milionë euro janë shpenzuar në vitin 2025 vetëm për udhëtimet e zyrtarëve të shtetit brenda territorit të Kosovës.
1 milionë e 600 mijë euro veç për transport.
430 mijë euro para cash në dorë, për xhepin e tyre, për t’i shpenzuar gjatë këtyre udhëtimeve.
E 938 mijë euro ka kushtuar akomodimi.
Akomodim brenda Kosovës, pra po flasim për qëndrim nga qyteti në qytet.
Këto para për transport, cash e akomodim janë dhënë edhe për udhëtime fare të shkurtra si Prishtinë – Fushë Kosovë, Prizren – Prishtinë, Prishtinë – Mitrovicë.
Shifrat për shpenzime të tilla janë rritur ndjeshëm nga viti në vit.
Për shembull, vetëm për mëditje (para cash në dorë), zyrtarët kanë marrë në vitin 2023 rreth 110 mijë euro, ndërsa në vitin 2025 rreth 430 mijë euro.
Pra, është rritje gati katërfish brenda dy vitesh.
Për shkak se janë shifra shpenzimesh tejet të larta, kur kemi parasysh se bëhet fjalë edhe për udhëtime 2-3 kilometërshe, kjo ngreh dyshime serioze për keqpërdorim të madh të parasë publike.
Dhe, nëse vetëm për udhëtime brenda vendit shpenzohen miliona euro, sa duhet të jenë shpenzimet për këta pushtetarë kur dalin jashtë Kosovës?/VOX KOSOVA
