Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, duket se e ka ndarë mendjen që t`i shërbyer partisë së saj edhe nga posti i të pares së shtetit.
Në intervistën e parë në këtë cilësi, Albulena Haxhiu, ka treguar se nuk i ka lexuar drejtë dhe saktë të paktën aktgjykimet dhe aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat ajo i citon.
Kësisoj, në një intervistë për emisionin “Konfront” të KTV-së, Haxhiu ia ka huqur përmbajtjes së Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO 58/19, ku parashtrues ishte Bilall Sherfii dhe 29 deputetë tjerë të Kuvendit të Kosovës.
Derisa ka folur për emërimin e anëtarit të fundit të KQZ-së, vendim të cilin nuk e kishte marrë presidentja Vjosa Osmani, Haxhiu ka paralajmëruar se për këtë çështje do të vlejë fuqia politike e subjekteve politike në Kuvendin e Kosovës.
Ndonëse Kushtetuta e Kosovës është e qartë se si ndërtohet përbërja e KQZ-së, Haxhiu ka përmendur disa elemente që favorizojnë kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Partia e kryeministrit, Albin Kurti, pjesë e së cilës është edhe Haxhiu, po kërkon anëtarin e 3-të në KQZ me arsyetimin se pasi ka arritur të fitojë gati gjysmën e Kuvendit të Kosovës, kjo duhet të reflektohet edhe në ndarjen e ulëseve shqiptare në KQZ.
Pikërisht, për të mbështetur rrjedhën e këtyre pretendimeve, Haxhiu ka bërë huqje duke iu referuar një Aktgjykimi që nuk tregon se nga sa anëtarë në KQZ u takojnë grupeve parlamentare. Por, çështja e trajtuar nga Kushtetuesja në vitin 2019 ka të bëjë me pretendimet se edhe grupet parlamentare të formuara pas zgjedhjeve kanë të drejtë të emërojnë anëtarët e tyre në KQZ.
“Aktgjykimin që e përmenda, është i vitit 2019, kur ish-deputeti Bilall Sherifi kishte kontestuar disa vendime të presidentit Thaçi në atë kohë për çështjen e emërimit të anëtarëve të KQZ-së dhe aty përmendet pikërisht kjo, pra: rezultati i zgjedhjeve, fuqia politike, proporcionaliteti dhe përfaqësimi”, ka thënë Haxhiu.
Në fakt, Aktgjykimi në fjalë nuk trajton askund se “rezultati i zgjedhjeve”, “fuqia politike” dhe “proporcionaliteti dhe përfaqësimi” duhet të merren parasysh në çështjen e emërimit të anëtarëve të KQZ-së, sepse kjo nuk ishte lënda që u shqyrtua nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas Haxhiut, kemi dy interpremtime, jo vetëm nga VV-ja dhe PDK-ja, por edhe nga juristë të ndryshëm.
“Ajo çka unë vlerësojë se është e rëndësishme në këtë drejtim është: parimi i proporcionalitetit. Pra, përfaqësimi dhe fuqia politike. Unë mendoj që parimi i proporcionalitetit, pra përfaqësimi dhe fuqia politike janë shumë të rëndësishme në një proces. Përshembull, në Kuvendin e Kosovës ne kemi komisione parlamentare. Grupi parlamentar i Vetëvendosjes i ka 5 anëtarë në komisionet parlamentare, PDK i ka dy, ndërsa të tjerët i kanë nga 1 anëtar. Ky është proporcionaliteti, përfaqësimi dhe fuqia politike, që del nga rezultati i zgjedhjeve, në këtë rast nga 28 dhjetori i vitit të kaluar”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka kujtuar se në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje me 51.1% të votave të fituara dhe PDK me 22%.
Në rastin e KQZ-së nuk aplikohet parimi i proporcionalitetit, sa më shumë deputetë – më shumë përfaqësim në institucione tjera, sepse përbërja e këtij institucioni është rregulluar me Kushtetutë, respektivisht nenin 139 të saj.
Gjykata Kushtetuese trajtoi pretendimet për anëtarë në KQZ të grupeve parlamentare të formuara pas zgjedhjeve
Pas zgjedhjeve të vitit 2017, ku fitues kishte dalë koalicioni PAN (PDK – AAK – Nisma), në muajin shtator dy grupe të reja parlamentare ishin formuar në Kuvendin e Kosovës. Bëhej fjalë për GP të AAK dhe GP të Nismës Socialdemokrate. Disa muaj më vonë, edhe një grup tjetër parlamentar ishte paraqitur në skenë pas ndarjes së Lëvizjes Vetëvendosje. Në mars të vitit 2018, 12 deputetë themelua GP të PSD-së.
Të tri këto grupe parlamentare kishin kërkuar të përfaqësoheshin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, andaj vendimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për mosemërmin e të propozuarve të PSD, AAK dhe Nisma, deputetët e tyre e dërguan në Gjykatën Kushtetuese.
Ish-presidenti Thaçi kishte emëruar anëtarët e KQZ-së vetëm për grupet parlamentare që ishin në fletëvotim, pra që dolën drejtpërdrejtë nga procesi zgjedhor dhe jo për grupet parlamentare që ishin formuar më vonë.
Edhe Presidenti Thaçi kishte dërguar pyetje për interpretim të nenit 139, paragrafit 4, por Gjykata Kushtetuese e kishte deklaruar kërkesën të papranueshme për shkak të se ky institucion nuk luan rol konsultativ dhe këshillëdhënës.

Me mënyrën se si ish-Presidenti Thaçi i kishte interpretuar grupet parlamentare, në kuptim të zbatimit të nenit 139 të Kushtetutës së Kosovës, ishte pajtuar edhe Lëvizja Vetëvendosje.
Kjo vërtetohet me komentet që i kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas Vetëvendosjes, përbërja e KQZ-së nuk mund të ndjekë dinamikat e brendshme në Kuvendin e Kosovës.

Në fund, Gjykata Kushtetuese i kishte dhënë të drejtë Presidentit Thaçi që për përbërjen e KQZ-së duhet të mbështetet vetëm në grupet parlamentare që dalin drejtpërdrejtë nga rezultati i zgjedhjeve, pra që janë pjesë e fletëvotimit.

Çka thotë Kushtetuta?
Ndonëse zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor të vitit 2025, janë mbajtur vetëm për fuqinë e partive politike në Kuvendin e Kosovës, Vetëvendosje, e cila fitoi mbi 51% të votave, ka kërkuar që ashtu si gjysma e Kuvendit të Kosovës t’i takojë edhe gjysma e ulëseve të caktuara për grupet parlamentare të subjekteve politike shqiptare në KQZ.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, 6 ulëse në KQZ, u takojnë 6 grupeve më të mëdha parlamentare, respektivisht subjekteve politike shqiptare, e 4 të tjera për komunitetet.
“Gjashtë (6) anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara”, thuhet në paragrafin 6 të nenit 139.
Aktualisht, sipas rezultateve të 28 dhjetorit, në Kuvendin e Kosovës kanë arritur të hyjnë 4 subjekte politike shqiptare (LVV, PDK, LDK dhe AAK), prandaj, ndarja e 6 ulëseve duhet të bëhet për këto subjekte politike.
Por, në këtë situatë, kur numri i grupeve parlamentare nga radhët e subjekteve shqiptare është më i vogël, Kushtetuta ka dhënë zgjidhje, duke ia mundësuar grupit apo grupeve më të mëdha të emërojnë anëtarë shtesë.
“Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë”, thuhet në vazhdim të paragrafit të njëjtë./Nacionale
