Pushteti dhe opozita sot janë bashkuar vetëm në një pikë të rendit të ditës, e cila ka pasur të bëjë me luftën e Kosovës.
Me 90 vota “për”, asnjë “kundër” dhe asnjë “abstenim”, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Rezolutën për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës së Kosovës 1998-1999. Kjo rezolutë është miratuar me votat e deputetëve të pushtetit dhe të opozitës.
Kjo rezolutë e propozuar nga PDK-ja, e cila sot është lexuar nga deputeti Nait Hasani, ka ardhur pas ekspozitës skandaloze të Shkëlzen Gashit, e cila shtrembëron të vërteten për disa masakra të luftës në Kosovës.
Pas votimit në mënyrë unanime të kësaj rezolute, ka reaguar nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku.
Ajo ka falënderuar të gjithë deputetët për përkrahjen.
Në profilin e saj në Facebook, Çitaku ka shkruar se sot u dëshmua se kur bëhet fjalë për historinë dhe sakrificën, uniteti është i mundur dhe i domosdoshëm
“Sot, Kuvendi i Kosovës u ngrit mbi dallimet politike dhe foli me një zë për të vërtetën dhe dinjitetin e viktimave të luftës. Me votimin unanim të rezolutës së propozuar nga PDK, u dëshmua se kur bëhet fjalë për historinë dhe sakrificën tonë, uniteti është i mundur dhe i domosdoshëm. Falënderoj të gjithë deputetët që e mbështetën këtë rezolutë, duke dëshmuar përgjegjësi dhe respekt për sakrificën e popullit tonë. Me solemnitetin që kërkon kjo çështje, ky vendim duhet të shërbejë si standard për çdo trajtim të historisë sonë. Ekspozita e fundit në shesh le të jetë hera e fundit që provohet të tjetërsohet e vërteta jonë historike”, ka shkruar Çitaku.
Çka përmban rezoluta?
Rezolutën për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës së Kosovës 1998-1999, e propozuar nga PDK përmban 17 pika.
Qysh në fillim të dokumentit tregohet qëllimi i nxjerrjes së kësaj rezolute.
“1. THEKSON se është përgjegjësi e institucioneve të Republikës së Kosovës që të kryejnë hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë. Të vetmet të dhëna të konfirmuara mbi krimet e Serbisë në Kosovë janë të dhënat zyrtare nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë; 2. INKURAJON institucionet e drejtësisë që të vazhdojnë punën e nisur edhe me më shumë përkushtim për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë, duke shfrytëzuar edhe më shumë ndryshimet e fundit ligjore për hetimin dhe gjykimin në mungesë të krimeve të luftës të Serbisë në Kosovë”, thuhet në rezolutë.
Më pas, ky dokument dënon rezolutën në fjalë dhe çdo përpjekkej për të shtrembëruar të vërteten historike.
“3. NDERON me përulje sakrificën sublime të popullit shqiptar, të të gjithë dëshmorëve të kombit, të rënëve e të gjithë atyre që në çfarëdo mënyre kontribuan dhe u sakrifikuan për liri e pavarësi; 4. DËNON çfarëdo përpjekjeje zyrtare ose tjetër, si dhe çfarëdo deklarimi të zyrtarëve publikë që synon ose angazhohet për amnistimin e Serbisë nga përgjegjësia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë; 5. DËNON çdo formë të shtrembërimit, relativizimit apo paraqitjes së pasaktë të fakteve historike që lidhen me luftën në Kosovë 1998–1999; 6. DËNON nismat si ekspozita e fundit e organizuar në hapësirat publike në Prishtinë, që, me pasaktësitë në të dhëna mbi masakrat e Serbisë në Kosovë, nxisin reagime të gjera dhe provokojnë ripërjetimin e dhimbjeve, duke rrezikuar deformimin e të vërtetës dhe fakteve historike”, thuhet në këtë dokument, duke ftuar institucionet përgjegjëse që të dokumentojnë të vërteten e luftës.
“7. FTON Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë që sa më parë të hulumtojë dhe të dokumentojë të dhënat e sakta mbi masakrat e kryera nga Serbia në Kosovë dhe të pasqyrojë të vërtetën historike në mënyrë të saktë dhe të plotë; 8. FTON të gjitha institucionet shtetërore, institucionet akademike dhe institutet kërkimore, mediat, organizatat joqeveritare, shoqatat e profesionistët e fushës, qytetarët e familjarët e viktimave që të angazhohen në grumbullimin e materialeve, fakteve, dëshmive, provave e argumenteve, duke i deponuar ato në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë”, thuhet në rezolutë, duke inkurajuar institucionet për të paditur Serbinë për krimet gjenocidale të kryera në Kosovë.
“10. FTON organet e drejtësisë që të zhvillojnë një hetim të plotë, të pavarur dhe të paanshëm lidhur me praninë eventuale të elementeve penale në rastin e prezentimit të të dhënave të pasakta dhe të zbardhen deri në fund rastet e mundshme të kësaj natyre; 11. OBLIGON Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Presidencën që të reagojnë në kohë reale dhe proporcionalisht në rastet kur nëpër forume të ndryshme ndërkombëtare ose deklarata publike sulmohet e vërteta e luftës së fundit në Kosovë; 12. OBLIGON institucionet përgjegjëse që çdo aktivitet publik, ekspozitë apo publikim që trajton periudhën e luftës të bazohet në burime të verifikuara dhe të konfirmuara nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ndonjë institucion kërkimor shkencërisht kredibil, si dhe në vendime përfundimtare të institucioneve të drejtësisë, për të shmangur çdo interpretim që cenon dinjitetin e viktimave dhe të vërtetën e luftës çlirimtare”, thuhet në rezolutë./Nacionale
