Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka dalur kundër kërkesës së studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Në një intervistë për TV21, Siljanovska-Davkova, duke u përpjekur që ta argumentojë qëndrimin e saj kundër, ka thënë se gjuha juridike ka një peshë të veçantë dhe ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e vendimeve gjyqësore.
“Në të drejtën ekziston nocioni i gjuhës juridike. Të rëndësishme janë saktësia dhe qartësia, sepse nga kjo varet cilësia e vendimit. Është shumë e pazakontë që në nivel kombëtar, në procedurat gjyqësore, të jenë në përdorim disa gjuhë”, deklaroi Siljanovska-Davkova.
Për të është shqetësuese që të krijohen komisione në dy gjuhë për provimin e jurisprudencës. Madje, ajo e paraqiti këtë si diçka të rrezikshme.
“Nuk mund të ketë një komision për kandidatët maqedonas dhe një tjetër për kandidatët shqiptarë. Kjo është e pamundur dhe përvojat krahasuese tregojnë se mund të çojë në rreziqe”, shtoi tutje Presidentja maqedonase.
Dilema kryesore për Siljanovska-Davkovën është gjoja mundësia e keqkuptimeve në procesin juridik.
“Frika ime është që të mos gjendemi të humbur në përkthim”, potencoi ajo ndër të tjera.
Kjo deklaratë e saj vjen disa ditë pasi që mijëra studentë shqiptarë protestuan në Shkup para Ministrisë së Drejtësisë, ku kërkuan që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Ata thanë se kjo është e drejtë e tyre që garantohet me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe kanë kërkuar që të ndalet diskriminimi institucional ndaj shqiptarëve.
Një pjesë e politikanëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut dhe jo vetëm e kanë akuzuar Presidenten maqedonase për qasje anti-shqiptare.
Kur kishte qenë kandidate për Presidente në prill të 2024-së, si e propozuar nga partia nacionaliste maqedonase, VMRO-DMPNE, Siljanovska-Davkova kishte propozuar krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për luftën e 2001-së, që ishte zhvilluar në mes të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare me Komandant Suprem Ali Ahmetin dhe forcave polico-ushtarake maqedonase.
Lufta në Maqedoni kishte filluar më 22 janar të vitit 2001, ndërsa kishte përfunduar më 13 gusht të po atij viti.
Përfundimi i luftës kishte ardhur pas marrëveshjes së arritur mes palës shqiptare dhe asaj maqedonase në atë që njihet si Marrëveshja e Ohrit.
Lufta në Maqedoni kishte nisur për shkak të keqtrajtimit sistematik që autoritetet maqedonase ua kishin bërë shqiptarëve etnikë përgjatë viteve./VOX Kosova
