Screenshot
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka bërë thirrje publike kryeministrit Albin Kurti që të zhbllokojë menjëherë projektin e Unazës së Prishtinës, duke paralajmëruar se vonesat shumëvjeçare po rrezikojnë humbjen e mbi 82 milionë eurove fonde grant.
Përmes një reagimi publik, Rama theksoi se projekti është i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) dhe kap vlerën e rreth 206 milionë eurove, ku një pjesë e konsiderueshme janë mjete të pakthyeshme. Sipas tij, çdo zvarritje administrative apo institucionale mund të çojë në humbjen e këtyre fondeve, duke dëmtuar drejtpërdrejt interesin e qytetarëve.
“Unaza e Prishtinës nuk është projekt politik, por projekt strategjik për kryeqytetin dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, ka theksuar Rama, duke shtuar se dokumentacioni teknik dhe procedurat e nevojshme janë përgatitur, por realizimi ka mbetur i bllokuar në nivel qendror.
Ai ka kërkuar nga Qeveria që të ndërmarrë veprime të menjëhershme për nisjen e punimeve, duke argumentuar se projekti do të ndikojë në lehtësimin e trafikut, zhvillimin urban dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore në Prishtinë.
Deri më tani, nga Qeveria nuk ka pasur një reagim zyrtar lidhur me këtë kërkesë.
