Screenshot
Anija pikturoi flamurin rus, ndërroi emrin dhe u riregjistrue nën Rusinë, ndërsa SHBA, Britania, Franca dhe Irlanda po e mbikëqyrin nga ajri
Një cisternë nafte e lidhun me Venezuelën, pjesë e të ashtuquajturës “flotë e errët”, ka ndërmarrë veprime të pazakonta për me iu shmangë ndalimit nga autoritetet amerikane. Sipas raportimeve, anija ka pikturue flamurin rus në trup të saj, ia ka ndërru emnin dhe është riregjistrue nën flamurin e Federatës Ruse.
Anija, e njohun fillimisht si Bella 1, është riemërtue Marinera dhe ka ndryshue regjistrimin gjatë udhëtimit, në një përpjekje të dukshme për me shmangë kapjen nga Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkueme. Kështu thuhet në një raport inteligjence nga kompania e analizave detare me inteligjencë artificiale, Windward.
Pas ikjes nga rajoni, cisterna është vërejtë pranë bregut të Irlandës. Sipas The Times, SHBA-të, Mbretëria e Bashkueme, Franca dhe Irlanda kanë nisë mbikëqyrje ajrore të përbashkët, pasi anija i ka shpëtue ndalimit amerikan në dhjetor.
Mediumi shtetnor rus RT ka publiku një video të xhirueme nga kuverta e cisternës, ku pretendohet se shihet një anije e Rojës Bregdetare amerikane duke e ndjekë cisternën në Oqeanin Atlantik.
Ndërkohë, Wall Street Journal raporton se Rusia ka disloku një nëndetëse dhe mjete të tjera detare për me e shoqnue cisternën drejt ujërave të veta.
Sipas disa burimeve, anija ndodhet tash nën mbikëqyrje ushtarake amerikane rreth 230 milje larg bregut të Irlandës, ndërsa avionë amerikanë të tipit P-8 e kanë gjurmu atë ditët e fundit.
CBS News raporton se forcat amerikane e kanë ndjekë cisternën që prej dhjetorit, në kuadër të forcimit të masave kundër dërgesave të naftës nga Venezuela. Burime të inteligjencës bëjnë me dije se autoritetet venezueliane kishin shqyrtu edhe mundësinë e vendosjes së personelit ushtarak në bordin e cisternave, të maskuem si civilë, për me shmangë bllokadat amerikane.
Sipas këtyne burimeve, forcat amerikane pritet të ndërmarrin hapa për ndalimin e cisternës në ditët në vijim.
Ngjarja vjen pas zhvillimeve të fundit në Venezuelë, përfshi goditjet gjatë administratës Trump dhe kapjen më 3 janar të presidentit venezuelian Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores.
